Projekti QAINT zbatohet nga konzorciumi, i cili përbëhet nga tri organizata partnere:

Qendra për Arsim e Kosovës (ang. KEC)

Qendra për Arsim e Kosovës është organizatë vendore jo-qeveritare dhe jo përfituese e themeluar në vitin 2000. Fillimisht, KEC përqendrohej kryesisht në ofrimin e programeve të trajnimit të mësimdhënësve në shërbim. Ndonëse trajnimet ende mbesin një aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së KEC, organizata përgjatë viteve e ka zgjeruar veprimtarinë e saj në katër fusha kyçe: 1) Përmirësimin e cilësisë së arsimit, 2) Të drejtat e njeriut; 3) Rrjetëzimin dhe pjesëmarrjen në politikë bërje, dhe 4) Hulumtimet në fushën e arsimit. KEC ka një gamë të gjerë partnerësh vendorë dhe ndërkombëtarë që përfshijnë organizata joqeveritare, kompani konsulente, agjenci zhvillimore dhe institucione shtetërore. Që nga viti 2004, në kuadër të KEC-it vepron shkolla “Mileniumi i Tretë”, e cila i zhvillon aktivitetet e saj në nivelin e arsimit fillor dhe të mesëm.

Organizata për Rritje të Cilësisë në Arsim (ORCA)

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), e themeluar në vitin 2016 në Prishtinë, ka si mision të saj kontributin për rritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë, me përqendrim kryesor në arsimin universitar. ORCA është aktive në mbikëqyrjen e proceseve akademike në arsimin e lartë në Kosovë dhe në reagime të koordinuara për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në universitetin publik. Ky synim mundësohet përmes shqyrtimit të kujdesshëm dhe metodologjik të zhvillimeve akademike në bashkëpunim me ekspertë të fushave të ndryshme dhe akademikë meritorë. Gjithashtu, ORCA angazhohet në rigjallërimin e aktivizimit ndër studentët e sistemit publik universitar përmes bashkëpunimit me organizatat studentore dhe vetëdijesimin dhe ngritjen e kapaciteteve të reagimit në terren të komunitetit më të gjerë studentor.

Krahas rritjes së presionit publik dhe institucional, ORCA do të ofrojë rekomandime konkrete për institucionet përgjegjëse për përmirësimin e gjendjes së arsimit në Kosovë.

Qendra për Inovacion Shoqëror (gjer. ZSI)

ZSI është institut privat jofitimprurës për shkenca të aplikuara shoqërore me vendndodhje në Vjenë (Austri). ZSI zbaton hulumtime dhe projekte të aplikueshme mbi ngulitjen shoqërore dhe ndikimin e të gjitha llojeve të inovacioneve dhe kontribuon në dizajnimin dhe përhapjen e gjerë të inovacioneve të pranueshme nga shoqëria dhe të qëndrueshme përballë sfidave globale. Si institut i pavarur shkencor, ZSI gjeneron, përcjellë dhe aplikon dije dhe aftësi në  këto fusha tematike që ndërlidhen me përballjen me sfidat madhore shoqërore të kohës sonë, prej nivelit lokal në atë global.: 1) Puna dhe mundësitë e barabarta, 2) Teknologjia dhe dija dhe 3) Politikat dhe zhvillimi i punës hulumtuese. Shërbimet e ZSI mbulojnë një gamë të gjerë aktivitetesh nga puna hulumtuese e frymëzuar nga përdorimi praktik, dizajni dhe menaxhimi i koncepteve të trajnimit, kurseve dhe programeve akademike deri te ofrimi i këshillave për politikat mbi inteligjencën strategjike dhe dizajnin, monitorimin dhe vlerësimin e projekteve dhe të programeve dhe zhvillimin e zbatimin e rrjeteve virtuale dhe të prekshme.